Deri në vitin 2030, të zvogëlohen ndjeshëm lëvizjet e paligjshme financiare dhe lëvizjet e armëve, të forcohet rigjetja dhe rikthimi i pasurive të vjedhura dhe të luftohen të gjitha format e krimit të organizuar
Burimet e paligjshme financiare të përftuara nga krimi, korrupsioni, përvetësimi dhe evazioni fiskal përfaqësojnë një problem madhor që shterron buxhetet e vendeve në zhvillim, që zvogëlon të ardhurat nga taksat, zvogëlon hapësirat për taksim progresiv, pengon zhvillimin dhe funksionimin e shtetit ligjor, rrit varfërinë dhe pabarazinë, dhe nuk lejon që qytetarët të gëzojnë plotësisht të drejtat e njeriut. Evazioni fiskal dhe shpërdorimi konsiderohen si përgjegjësit kryesorë për qarkullimin e gjithë burimeve të paligjshme financiare, ndjekur nga burimet e paligjshme financiare të përftuara nga aktiviteti kriminal, si për shembull narko-trafiku dhe trafikimi i qënieve njerëzore, tregtia e paligjshme e armëve, terrorizmi dhe korrupsioni.
Pasuri të vjedhura janë të përfitimet nga korrupsioni, qofshin ato të holla, prona apo pasuri të tjera të grumbulluara përmes akteve korruptive. Ato përfshijnë mitmarrjen, përvetësimin e paligjshëm, dhe abuzimet e ndryshme me pronat apo fondet, shkëmbimi i influencës për favore personale, dhe abuzimi me detyrën në sektorin publik.
Konfiskimi i pasurisë është procesi që mundëson rikthimin e përfitimeve nga korrupsioni në vendin e origjinës.
Krimi i organizuar është një kategori e grupimeve ndërkombëtare, kombëtare dhe vendore të sipërmarrjeve shumë të centralizuara, të drejtuara nga kriminelë që kanë për qëllim përfshirjen në aktivitete të paligjshme, kryesisht për qëllime përfitimi dhe grumbullimi të sasive të mëdha të parave.
Disa organizata kriminale, si grupet terroriste, kanë edhe motive politike. Ka raste që organizatat kriminale i detyrojnë njerëzit të përfshihen në bashkëpunim – për shembull kur një bandë detyron tregtarë dyqanesh t’u paguajnë para në shkëmbim të të ashtu-quajturës mbrojtje. Një organizatë kriminale ose bandë mund të quhet edhe mafia ose sindikata e krimit; ndërsa rrjeti i bashkëpunëtorëve, grupet nënkulturore dhe bashkësia e kriminelëve mund të quhet ‘bota e krimit’.
Të tjera organizata – përfshirë shtete, ushtri, forca policore dhe korporata – nganjëherë mund të përdorin metoda të krimit të organizuar për të kryer aktivitetet e tyre, edhe pse pushteti i tyre rrjedh nga statusi i tyre si institucione zyrtare shoqërore. Zakonisht bëjmë dallim mes krimit të organizuar dhe formave të tjera të krimit, si krimi i zyrtarëve shtetëror, krimi financiar, krimi politik, krimet e luftës, krimi shtetëror dhe tradhëtia ndaj shtetit.


































