Deri në vitin 2030, të sigurohet identiteti ligjor për të gjithë njerëzit, duke përfshirë regjistrimin e lindjes.
Identiteti ligjor është shumë i rëndësishëm për të siguruar qasje të barabartë në shërbime dhe përfshirje të plotë në shoqëri. Me një certifikatë, fëmijët dhe të rriturit kanë qasje më të mirë në drejtësi, shërbime shoqërore, të drejta të garantura të pronësisë dhe trashëgimisë, dhe mbrojtjes ligjore, që u jep ligji. Deri më sot, rreth 635 milionë njerëz në mbarë botën rezultojnë të paregjistruar në lindje, këtu përfshihen edhe 230 milionë fëmijë nën 5 vjeç, ndërsa 1.8 miliardë të tjerë të rritur nuk kanë dokumente të besueshme të identitetit të tyre. Të paktën 10 milionë njerëz nuk kanë nënshtetësi dhe çështja e identitetit të tyre ligjor duhet të zgjidhet.
Regjistrimi i fëmijëve në lindje është hapi i parë në garantimin e njohjes nga ligji dhe mbrojtjen e të drejtave individuale dhe të qasjes në drejtësi. Pavarësisht përparimit të arritur gjatë viteve të fundit, vihet re se më shumë se një në katër lindje gjatë pesë viteve të fundit në të gjithë botën nuk është regjistruar. Në Afrikën sub-Sahariane, më shumë se gjysma e fëmijëve (54%) nuk janë ende të regjistruar kur mbushin 5 vjeç. Në rang botëror, fëmijët që jetojnë në zona qytetare kanë njëherë e gjysëm më shumë gjasa për t’u regjistruar sesa bashkëmoshatarët e tyre në zona fshatare. Në shumicën e rajoneve, përqindjet e regjistrimit në lindje priren të jenë më të larta tek 20 % të popullsisë më të pasur.


































