Të sigurohet e drejta e publikut për të marrë informacion dhe të mbrohen liritë themelore të njeriut, në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe marrëveshjet ndërkombëtare.
E drejta e publikut për informacionin e sektorit publik bën që qytetarët të jenë më të përfshirë në ciklin e politikëbërjes, nxit llogaridhënien mbi rezultatet e arritura dhe rrit besimin e qytetarëve në institucionet qeveritare. Ligjet për lirinë e informimit – të njohura si ligjet që garantojnë të drejtën e informimit – janë një shtyllë themelore për garantimin e transparencës. Ato sanksionojnë me ligj të drejtën e qytetarëve për të patur dijeni, dhe rrjedhimisht për të rritur llogaridhënien qeveritare dhe për të nxitur pjesëmarrje të informuar qytetare në politikëbërje. Por, sidoqoftë, miratimi i legjislacionit nuk është i mjaftueshëm. Duhet të ketë procedura për të lehtësuar kërkesat për informacion dhe mundësuar përgjigjen në kohë të tyre. Publikimi proaktiv (p.sh. shpërndarja e informacionit pa patur nevojë për një kërkesë zyrtare) është po ashtu i domosdoshëm për krijimin e besimit. Në veçanti, transparenca fiskale, informacioni mbi shpenzimet e prokurimeve, si edhe zbulimi i interesave private, janë të rëndësishme në kuadër të Partneriteti për Qeverisje të Hapur (http://www.opengovpartnership.org), i cili e përfshin këtë informacion në kriteret e pranueshme.
Transparenca buxhetore, po ashtu, kontribuon në rritjen e besimit tek qeveria. Publikimi i dokumentacionit të plotë buxhetor e bën më të lehtë për publikun që të kuptojë politikat fiskale dhe përparësitë e qeverisë. Publikimi i buxhetit mund të kontribuojë në disiplinën fiskale, në një shpërndarje më efektive të burimeve, dhe efikasitetin operacional. Gjithashtu, ato bëjnë të mundur që qeveritë të jenë më llogaridhënëse përsa i përket hartimit të një buxheti realist dhe të qëndrueshëm, dhe ndikimit social-ekonomik të masave të planifikuara.
Edhe pse publikimi i informacionit mbi politikat fiskale dhe buxhetore të qeverisë është i domosdoshëm, shpesh ai është i ndërlikuar, që rrjedhimisht nuk ndihmon në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies. Prandaj, disa vende publikojnë buxhetin për qytetarët, si një dokument përmbledhës, i lehtë për t’u kuptuar dhe që përmban pikat kryesore të buxhetit vjetor, siç i paraqitet Kuvendit, duke përfshirë shpjegimet e nevojshme dhe përkufizimet e termave teknikë.


































